- Reklama juaj këtu -

- Reklama juaj këtu -

- Reklama juaj këtu -

- Reklama juaj këtu -

Analistët: Deklarata e ambasadorëve amerikanë, thirrje Kosovës dhe Serbisë për qasje serioze në dialog

56

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë dhe Beograd, Philip Kosnet dhe Kyle Scott, të premten përmes një deklarate të përbashkët u kanë bërë thirrje autoriteteve në Kosovë dhe Serbi që të punojnë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve, me njohjen reciproke në thelbin e saj.

Këtë thirrje të ambasadorëve amerikanë analistët po e konsiderojnë si një mesazh për një qasje serioze nga të dyja palët (Kosova dhe Serbia) në dialog.

Analisti Imer Mushkolaj, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se SHBA-të janë të interesuara që marrëveshja të arrihet sa më shpejt.

Sipas tij, mesazhi i dy ambasadorëve duhet kuptuar si thirrje për qasje serioze të të dy palëve në dialog.

“Por, siç është bërë e ditur, kjo nuk nënkupton arritjen e një marrëveshjeje çfarëdo. Mesazhi i dy ambasadorëve duhet kuptuar si thirrje për qasje me serioze të të dy palëve në dialog. Thirrja duhet të kuptohet drejt dhe angazhimi të jetë serioz”, ka thënë Mushkolaj.

Edhe politologu Musa Preteni vlerësoi se Angazhimi i SHBA-ve është thelbësor për arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi dhe sidomos për ruajtjen e pozicionit të Kosovës.

“Administrata amerikane në vazhdimësi që nga vitet 90-ta ka pasur një angazhim të jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës, për çlirim, shpalljen e pavarësisë dhe tash ruajtjen e gjithë asaj që është ndërtuar deri tani. Kosova gjendet në një situatë shumë të disfavorshme në kontekst të jashtëm kur e kemi parasysh që në Amerikë kemi president Trumpin, e në anën tjetër një Merkel në shkuarje e cila është tërhequr në masë të madhe nga çështja e Kosovës duke këmbëngulur në mos ndryshimin e kufijve. Kjo situatë duhet të menaxhohet kujdesshëm nga pala kosovare përmes unitetit politik të brendshëm”, ka thënë Preteni, për Telegrafin.

Ndryshe, në deklaratën e përbashkët të dy ambasadorëve ishte thënë se kurajo dhe kreativiteti i treguar nga udhëheqësit në Athinë dhe Shkup për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre shumëvjeçare duhet të jetë një frymëzim për të gjithë në rajon. /Telegrafi/

Komento

Emaili juaj nuk do të publikohet!

%d bloggers like this: